Në prag të ndeshjes, Mourinho refuzoi të përfshihej në polemika jashtë fushe. Ai minimizoi çdo pyetje mbi çështjen Negreira dhe gjyqtarët, duke theksuar se fokusi i tij është vetëm te loja: “Jetoj ditë për ditë. Ajo që ka ndodhur, ka ndodhur. Mendoj vetëm për sot dhe nesër”.
Momenti më emocional i konferencës erdhi kur u pyet për Álvaro Arbeloan, aktualisht trajner i Real Madridit. Mourinho u shpreh me respekt të madh: “Nuk ka qenë lojtari më i mirë që kam pasur, por është një nga njerëzit më të mirë që kanë luajtur për mua”. Ai shtoi se i dëshiron gjithë të mirat Arbeloas si trajner, por bëri një përjashtim të qartë: “Vetëm nesër dua që gjërat t’i shkojnë keq”.
Portugezi foli me të njëjtën dashuri edhe për Xabi Alonson, duke e quajtur “një tjetër nga djemtë e mi” dhe duke vlerësuar punën e tij te Leverkusen. Sipas Mourinhos, e ardhmja e Xabit si trajner do të jetë e ndritur. Por për 90 minutat në Lisbonë, ndjenjat lihen mënjanë: Mou dëshiron vetëm një gjë – ta mposhtë Real Madridin, sido që të jetë.